Rindërtimi i Akuadromit, Bashkia e Tiranës rihap procedurën e tenderit për projektimin
Bashkia e Tiranës ka rihapur tenderin për rehabilitimin e “Aqua Parkut të Tiranës”, disa muaj pas procedurës së parë, e cila nuk rezultoi me shpalljen e një fituesi.
Në mars të këtij viti u hap konkursi ndërkombëtar për rindërtimin e Akuadromit të Tiranës, ose pishinave publike.
Sipas dokumentacionit të tenderit, aktualisht “Akuadromi i Tiranës” përbëhet nga gjashtë pishina, dy prej të cilave me përmasa olimpike, një për të rritur me prezencë lojërash ujore, një me strukturë trampoline dhe dy të tjerat për fëmijë sipas grupmoshave.
Gjithsesi, kompleksi është në gjendje të mjerueshme, pasi është i amortizuar. Kjo është edhe arsyeja kryesore që kërkohet fillimisht një projekt rikonceptues dhe më pas ndërtimi nga e para e kompleksit.
Në total, i gjithë kompleksi në pronësi të Bashkisë Tiranë shtrihet në një sipërfaqe prej 36,201 metra katrorë.
Kalendari i Konkursit
Thirrje e hapur për shprehje interesi 15 shtator 2025
Periudha e parë e pyetjeve 16 tetor 2025
Afati për shprehjen e interesit-Faza 1 16 tetor 2025
Përzgjedhja 27 tetor 2025
Periudha e ankimimit 10 nëntor 2025
Ftesa për të dorëzuar koncept-ide projektimi 17 nëntor 2025
Afati për dorëzimin e propozimeve për Fazën II 6 Janar 2026
Prezantimet publike dhe vlerësimi i jurisë 6 Janar 2026
Periudha e ankimimit pas përzgjedhjes se fituesit 5 shkurt 2026
Konkretisht, Bashkia synon të ndërtojë gjithashtu edhe një pishinë të mbyllur, e cila parashikohet të ketë një sipërfaqe prej 6300 m2, përfshirë edhe strukturën e saj mbështetëse. Gjithashtu, do të ristrukturohet pishina e hapur olimpike, si edhe pishinat e tjera, ku njëra prej tyre do të pajiset edhe me lodra ujë, në formatin e një akuaparku të mirëfilltë.
Gjithashtu janë parashikuar zonat e shërbimeve, në funksion të pishinave, por do të ndërtohet për herë të parë edhe një zonë SPA, me sauna, dhomë avulli dhe jacuzzi. Gjithashtu, do të ketë edhe një palestër, kafe/bar restorant, zyra për administratën, si edhe parkim të hapur, si edhe një sipërfaqe prej 5177 m2 parkim nëntokësor. /ekofin.al